Dita e sotme është e veçantë për të gjithë tifozët e Formula 1 dhe specifikisht për ata, të cilët kanë nisur që të ndjekin këtë sport kur finishin e kalonte shpesh herë i pari Michael Schumacher.
Si sot 12 vite më parë “Kaiseri” pësoi aksidetin tragjik në pistën e skive në Meribel. Dëmtimet e pësuara në kokë kanë kushtëzuar jetën e tij, për të cilën tashmë dihet shumë pak.
Familja e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1 ka mundur që të mbajë larg syve të publikut gjendjen në të cilën ndodhet ish-piloti.
Në këtë përvjetor të hidhur ka dhënë opinionin e vet edhe Richard Hopkins, i cili përpara se të punonte për Red Bull dhe McLaren ka qenë pjesë e stafit të pilotit gjerman në kohën kur ky i fundit ishte aktiv në Formula 1.
“Nuk mendoj se do të kemi më mundësi që të shikojmë në publik Michal-in. Nuk ndihem komod të flas për këtë çështje pasi familja e tij me të drejtë ka preferuar që ta mbajë larg syve të publikut”, tha Hopkins. Ky i fundit pranoi se detajin e vetëm që mund të nxirrte nga jeta private e Schumacher ishte se ish-piloti gjerman po ndiqej nga një mjek personal nga Finlanda.
