Në kampionatin shqiptar, ka pasur shpesh herë lojtarë serb që kanë luajtur, teksa problemet për shkak të nacionalitetit, thuajse nuk kanë ekzistuar kurrë.
Diçka të tillë, e pranon në intervistën për “Panorama Sport” edhe ish-mesfushori i Kukësit, Luka Milunoviç.
Ai u shpreh se në Shqipëri ka kaluar shumë mirë, teksa analizoi edhe ndeshjen që Kombëtarja do të luajë në Leskovc kundër Serbisë.
Luka, ke luajtur një sezon në Shqipëri. Si e kujton atë periudhë?
Sezoni që kam luajtur atje ishte pothuajse shumë i suksesshëm sepse humbëm vendin për kualifikim në Europë në ndeshjet e fundit. Kështu që isha i lumtur dhe i kënaqur me ekipin që kishim dhe që ishim konkurrues deri në fund me Tiranën, Partizanin dhe Vllazninë.
A ke ndjerë ndonjëherë racizëm nga futbollistët ose tifozët?
Nuk kam pasur asnjë lloj problemi sepse vij nga Serbia/Beogradi. Asnjëherë nuk jam ndier keq për kombësinë time apo të kem dëgjuar fjalë të këqija për vendin tim gjatë qëndrimit në Tiranë.
A mendon se një futbollist shqiptar, mund të luajë në Superligën serbe?
Pa dyshim që ka shumë lojtarë që mund të luajnë në Serbi me cilësinë që kanë. Nuk jam i sigurt sa tërheqëse do të ishte kjo për shqiptarët që të vijnë, por nuk shoh ndonjë problem realisht.
Pavarësisht se janë marrë shumë masa, a i trembeni ju atje faktit se mund të ketë sërish trazira si në 2014?
Ajo gjë nuk ishte më e bukura që mund të ndodhte gjatë një ndeshjeje zyrtare që u zhvillua atë ditë në Beograd. Ndoshta do të ketë provokime në këtë lloj ndeshjesh, por për mua gjëja më e rëndësishme është të shmangen ato në fushë dhe të mos ketë incidente të mëdha rreth stadiumeve. Ndoshta sepse kanë kaluar më shumë se 10 vjet, njerëzit tani janë më të mençur dhe ndoshta në të ardhmen problemet do të jenë shumë më të pakta edhe pse tensioni ende ekziston, megjithëse është thjesht një sport, por të dy ekipet përfaqësojnë vendet e tyre dhe me krenari, gjë që është 100% legjitime.
A ka ndikuar ndryshimi i stadiumit, nga Beogradi në Leskovac?
Do të luajmë në Leskovc, në një stadium shumë të bukur por realisht të vogël për këtë lloj ndeshjeje që mund të vendosë direkt ndoshta se kush do të kualifikohet në Kupën e Botës. Mendoj se Shqipëria është pak me fat sepse nuk do të luajmë në Beograd, në një stadium shumë më të madh me 45-50 mijë vetë. Jam i sigurt se edhe këto 5-6 mijë njerëz do të japin mbështetje për ekipin tonë kombëtar, por kjo nuk do të jetë ndonjë problem i madh për shqiptarët për ta përballuar. Por në fund, skuadra më e mirë në fushë duhet të fitojë, pavarësisht sa njerëz ke pas vetes dhe të mbështesin.
Çfarë do t’i këshilloje tifozëve serb?
Mesazhi im është që për sa kohë përqendrohemi në mbështetjen e ekipit dhe vendit tonë dhe jo në kundërshtarin, mund të arrijmë rezultate më të mira. Kushdo qoftë kundërshtari atë ditë, Shqipëria apo Andorra, Anglia… nuk ka aq shumë rëndësi.