Më “të fortit” në Premier League, Bournemouth rekord pikësh në 7 sfidat e fundit

Bournemouth është skuadra më në formë e Premier League, të paktën në këto javë të fundit në elitën e futbollit anglez, me “Qershitë”, që kanë arritur të grumbullojnë plot 19 pikë në shtatë ndeshjet e fundit duke lënë vetëm dy pikë në këtë rrugëtim, në barazimin 2 me 2, ndaj skuadrës së Aston Villa, në “Vitality Stadium”.

Disfata e fundit vjen në 4 nëntor, ndaj “Qytetarëve” të Manchester City, me këta të fundit që triumfuan me rezultatin e thellë 6 me 1 e që prej asaj dite kanë arritur të mundin skuadra si Newcastle, Sheffield United, Manchester United, Crystal Palace, Nottingham Forest dhe më të fundit janë ata të Fulham, të cilët i mundën, pasditen e së martës, që sapo lamë pas.

Ndërkaq, kujtojmë se në 11 javët e para, Bournemouth kishte marrë vetëm një fitore dhe vetëm 6 pikë, megjithatë, tashmë situata ka ndryshuar totalisht dhe aktualisht skuadra renditet në vendin e 10 me 25 pikë. Mirëpo kjo nuk është e gjitha, pasi në përballjen e fundit, ndaj Fulham, “Qershitë” “thyen” edhe një tabu pasi mori një penallti në favor pas plot 609 ndeshjesh. /abcnews.al


Shtuar 27.12.2023 11:20