Me grip fitoi Maratonën e Tiranës, Luiza Gega: Vetëm kur i mendoja 42 kilometrat lodhesha! Shpërblimet dhe statusi më bëri të vijoj ende sportin

Atletja Luiza Gega, ishte e ftuara speciale në emisionin “Ora Sport” në televizionin “Ora News”.

Pak orë pas suksesit në Maratotën e Tiranës, Gega thotë se ishte me grip prej dy ditësh, por kjo nuk e pengoi të triumfonte në garën prej 42 kilometrash.

“Edhe unë po thoja me vete ku më gjeti ky grip dhe thjesht ideja që do të bëja 42 kilometra ishte strapacuese. Jo më të kërkosh diçka më tepër, e jo më për të thyer ndonjë rekord. Para një muaji isha në Kosovës dhe aty u binda se mund të thyeja rekordin.

Unë nuk jam sportiste maratone, por duke qenë se është i vetmi aktivitet sportiv në Tiranë i të tilla niveleve dhe Martona është një distancë e gjatë në sportin e atletikës, dhe ka një fokus të veçantë edhe nga sportistët amatorë, ku mjafton të veshësh një palë atlete dhe të vraposh. Është një emocion i veçantë që më pëlqen shumë.

Është një rezultat i mirë, jo i një niveli të lartë në të tilla vente, por ka dhe shpërblime të mira ku ti thua po lodhem që po lodhem por të marrë ndonjë gjë të mirë të paktën, pasi kostoja financiare është shumë e rëndësishme për këdo.

Kur nuk shkon gara siç duhet, ashtu edhe unë ndihem keq.

Gjërat kanë ndryshuar shumë tashmë, pasi në vitet e fundit edhe pse kisha menduar që të tërhiqesha nga mosha 32-33, por ndryshuan shumë gjërat, sidomos tek shpërblimet: që futen shpërblime si kampione Ballkani, aq më tepër që tani kemi dhe status, dhe kjo është arsyeja se pse unë e vazhdoj sportin edhe pse jam në limite”, u shpreh ndër të tjera atletja Luiza Gega.


Shtuar 20.10.2024 22:14