Me 150 milionë euro humbje, ç’mund t’i ofrojë Bajerni, Nagelsmanit?

Pak javë më parë, Uli Hënes e bëri të qartë me një “Jo” të prerë. “Najn” (Nein), Bajerni nuk do të shpenzojë çmendurisht në tregun e futbollit, diçka që për hir të së vërtetës e ka bërë shumë, shumë rrallë.

Gjithsesi, kjo verë është paksa e veçantë sepse kampionia e Gjermanisë ndodhet në pozita të vështira financiare. Plot 150 milionë euro janë humbjet për shkak të koronavirusit, sidomos me stadiumin bosh, ndërsa mjaft lojtarë largohen.

Boateng dhe Alaba janë të sigurt, Niklas Zyle po ashtu dëshiron të shkojë në Premier Ligë.

Korenten Toliso (në foto) mund të kthehet në Francë, pasi Paris SG e pëlqen. Me çfarë do t’i zëvendësojë Bajerni këta lojtarë?

Ndërkaq, Mikael Kuisons (Cuisance), Adrian Fajn dhe Xhoshua Zirkze do të lejohen të largohen. Talenti me origjinë shqiptare, Leon Dajaku, do të lihet sipas të gjitha gjasave edhe një sezo huazim tek Unioni i Berlinit. Duket se Julian Nagelsman do të trashëgojë një situatë edhe më të vështirë sesa pati Hansi Fliku.


Shtuar 3.06.2021 15:40