Mbyllet pjesa e parë, Kosovë 1-1 Komoret: ‘Dardanët’ po dominojnë ndeshjen

Kombëtarja e Kosovës po luan baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Komoreve pas 45 minutave të para.

Ndeshja nisi me një dominim të lehtë të ‘Dardanëve’ të cilët po qarkullonin topin me kujdes në kërkim të një rasti për të shënuar.

Sidoqoftë, mysafirët në daljen e vetme të rrezikshme ia dolën të kalojnë në epërsi.

Po luhej minuta e 12-të kur Komoret ia dolën që të realizojnë për rezultatin 1-0 përmes Said Bakarit që realizoi me kokë.

I shpejtë ishte reagimi i Kosovës, të cilët arritën ta barazojnë rezultatin vetëm shtatë minuta më vonë.

Autor i golit ishte Albion Rrahmani i cili realizoi një gol të bukur për 1-1 në minutën e 19-të.

Pas golit të barazimit Kosova u vu në kërkim të golit të epërsisë dhe e pati një rast të mirë me Meriton Korenicën, por goditja e tij shkoi pranë shtyllës së portierit mysafir.

Duke marrë parasysh insistimin që pati Kosova në pjesën e parë si dhe me disa ndryshime eventuale në të dytën, ‘Dardanët’ do t’i afrohen edhe më shumë fitores.


Shtuar 9.06.2025 19:50