Mbyllet ankandi i fanellave kuqezi kundër Italisë, ajo e Bajramit u shit për një çmim të çmendur

Është mbyllur tashmë ankandi për shitjen e fanellave të Kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen ndaj Italisë, të nënshkruara nga lojtarët dhe ajo Nedim Bajramit u ble për çmimin më të lartë.

Fanella e yllit të kombëtares, Nedim Bajramit u shit në ankand për plotë 5792 euro.

Është ky rezultati përfundimtar i ankandit të hapur pas ndeshjes së parë me Italinë, ku u nxorën në shitje të gjitha fanellat e kuqezinjve për atë ndeshje.

Fanella e dytë më e shitur ishte ajo e sulmuesit Armando Broja, që kapi vlerën 825 euro.

Në vendin e tretë ishte fanella e Mirlind Dakut e blerë për 477 euro, ndërsa pas tij erdhën fanellat e Jasir Asanit (468 euro) dhe Kristjan Asllanit (445) euro.

Ndryshe, Nedim Bajrami hyri në historinë e Kampionatit Evropian me golin e shënuar ndaj Italisë, pasi shënoi pas vetëm 23 sekondave.


Shtuar 20.06.2024 16:00