Pas Liverpulit dhe Aston Vilës në turet paraardhëse, PSG eliminoi edhe Arsenalin në gjysmëfinalet e Champions League dhe Luis Enrique nuk mund të mos tallej me ata që në Angli në të kaluarën kanë shprehur opinione përçmuese për futbollin francez.
“Ne jemi Liga e Fshatarëve, apo jo?” tha spanjolli, duke komentuar fitoren e dytë ndaj “Topçinjve”, pa harruar se parizienët e kishin mundur edhe Manchester Unitedin në fazën e ligës.
“Tani gëzojmë jo vetëm rezultatet, por edhe komplimentet e të gjithëve që flasin për skuadrën tonë”, vazhdoi njeriu që në tetor zgjati kontratën me kryeqytetasit deri në vitin 2027.
“Ne jemi një ekip i ri, por mentaliteti, karakteri dhe gjithashtu mënyra se si luajmë futboll, mendoj se janë të mirë. Gjithashtu duhet t’i përgëzoj lojtarët e mi sepse janë të shkëlqyer”, përfundoi ai.