Luis Enrique mundi Italinë dhe Roberto Mancinin, teksa Spanja e tij do të presë finalisten tjetër të Ligës së Kombeve që do të dalë nga përballja mes Belgjikës dhe Francës.
Italia nuk humbiste prej 37 ndeshjesh dhe është kampione e Evropës në fuqi, por sipas teknikut spanjoll, do të vinte momenti që “Azurrët’ të thyheshin.
A do të mbahet mend kjo fitore për shumë vite?
Jo, ne nuk mund të flasim në këto terma. Është një fitore e bukur, kemi arritur në finale. Herët a vonë kjo disfatë për Italinë duhej të vinte, çdo brez ka një fillim dhe një fund. Ky rekord për Italinë është diçka e jashtëzakonshme dhe ne qëndruam besnikë ndaj parimeve tona të lojës, lojtarët luajtën shumë mirë.
Si e gjykoni debutimin e Gavit?
Nuk jam i befasuar, ai është një lojtar i brendshëm që arrin të luajë mes linjave dhe nuk e humb topin kurrë. Ai është e ardhmja e ekipit tonë kombëtar, por edhe e tashmja.
A do t’i lexoni gazetat?
Jo, nuk do t’i lexoj. Do të përpiqem të analizoj performancën tonë në thellësi. Ka pika për të përmirësuar, por jam shumë i kënaqur me interpretimin e ndeshjes nga lojtarët e mi. Ndihem shumë me fat që stërvis Spanjën.