Lokomotiv Moscow i vendos çmimin, 7 milionë euro kush kërkon transferimin e Mitajt

Jo më kot është i 14-ti, në listën për anësorët më premtues, të krahut të majtë mbrojtjes. “Zbulimi” i teknikut Sylvinho, Mario Mitaj ishte mes më të mirëve, në raportin mujor për lojtartër e grupmoshave të vitit 2003 ose më vonë, të observatorit të futbollit, “CIES”, vlerësim ky, për një lojtar, i cili premton shumë.

Duket se për këtë listë në dijeni janë edhe “gjigantët” kroatë, të Dinamo Zagreb, të cilët kërkojnë me ngulm shërbimet e 20-vjeçarit, në këtë merkato janari, teksa prej kohësh vuajnë për një lojtar cilësor, në këtë repart të fushës e duket se prodhimi i akademisë së AEK Athens është i duhuri për ta.

Për kartonin e Mitaj, rekordmenët e futbollit kroat janë të gatshëm të ofrojnë 4 milionë euro, mirëpo rusët e Lokomotiv Moscow kanë diçka tjetër në mendje, teksa e kanë refuzuar ofertën e parë të “Bluve” fqinjë dhe kërkojnë për 7 milionë euro për djaloshin shqiptar, i cili vetëm verën e kaluar u transferua nga grekët e AEK për shifrën e 3 milionë eurove. /abcnews.al


Shtuar 27.12.2023 14:54