Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka folur për futbollin në Arabinë Saudite, duke ‘goditur’ me deklarata disa nga lojtarët që kanë zgjedhur si destinacion Superligën e tyre.
Superliga e Arabisë Saudite ka pak më shumë se një vit që ka filluar të jetë shumë e diskutueshme, sidomos pas transferimit të Cristiano Ronaldos nga Manchester Unitedi janarin e kaluar.
Pas Ronaldos, kampionati elitar saudit transferoi emra tjerë të mëdhenj si Karim Benzema, N’Golo Kante, Marcelo Brozovic, Neymar Jr, Riyad Mahrez, Roberto Firmino dhe shumë të tjerë.
Transferimi i tyre ndodhi për kontrata marramendëse, por disa nga ta kanë deklaruar se kanë shkuar për ta bërë ndryshimin dhe për të ndihmuar ligën të rritet dhe të bëhet konkurruese, po aq sa kampionatet elitare evropine.
Megjithatë, Ceferin është përkujdesur t’i godasë këta lojtarë, duke thënë se nuk shqetësohet me transferimin e yjeve atje.
“Nuk jam aspak i shqetësuar. Sepse futbolli evropian ka rrënjë kaq të forta. Kjo është pjesë e kulturës, e historisë sonë. Ju nuk mund ta blini këtë. Ti nuk mundesh ta blesh me para”, ka thënë fillimisht Ceferin për The Telegraph.
“Ata shkojnë sepse kontratat janë të mëdha. Dhe unë nuk i fajësoj ata për këtë. Nëse janë afër fundit të karrierës së tyre, ndoshta është një aventurë e re dhe ju fitoni shumë para. Nuk dua t’i fajësoj ata apo diçka të tillë”.
“Por, të thuash se po shkon diku për të ndihmuar, është pak a shumë një shaka”, përfundoi i pari i UEFA-s. /Telegrafi/