Lionel Messi ka lënë të hapur mundësinë për të qenë pjesë e Botërorit të vitit 2026, por pranon se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Kapiteni i Argjentinës tha në një intervistë për rrjetin amerikan NBC se gjithçka do të varet nga forma e tij fizike dhe dëshira për të qenë i dobishëm për kombëtaren.
“Do të ishte diçka e jashtëzakonshme të isha në një tjetër Botëror,” – u shpreh Messi. “Dua të jem në formën më të mirë dhe të luaj një rol të rëndësishëm për skuadrën time. Do të vendos vetëm nëse do të ndihem 100% gati.”
38-vjeçari po kalon një sezon të mirë me Inter Miami, skuadër me të cilën sapo ka rinovuar kontratën, ndërsa më herët këtë vit udhëhoqi Argjentinën drejt fitores ndaj Venezuelës me dy gola në një ndeshje emocionuese.
“Kur të nisë sezoni i ardhshëm me Inter Miami, do të shoh gjendjen time ditë pas dite dhe më pas do të marr një vendim. Sigurisht që kam shumë dëshirë, sepse është Botëror — një ëndërr për çdo futbollist,” – shtoi ai.
Botërori i vitit 2026 do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, dhe Messi, që fitoi Kupën e Botës me Argjentinën në Katar më 2022, mund të ketë mundësinë ta mbyllë karrierën e tij ndërkombëtare me një tjetër pjesëmarrje historike.
