Inter Majemi vazhdon të ndërtojë një projekt ambicioz dhe afatgjatë. Pas rinovimit të kontratës së Zhordi Albës dhe nënshkrimit të Rodrigo De Pol, klubi nga Florida është afër zgjatjes së kontratës së Lionel Mesit. E vetmja çështje e mbetur pezull është Serxhio Buskets.
Ardhja e mesfushorit argjentinas kampion bote vë në pikëpyetje rolin dhe qëndrueshmërinë e ish-lojtarit të Barçës, kontrata e të cilit po skadon.
Trajneri Havier Maskerano foli për situatën, duke sqaruar qëndrimin e tij në një konferencë për shtyp:
“Për mua, Serxhio është një lojtar i shkëlqyer. Erdha në Barcelonë për të mësuar prej tij. Sot jam me fat që e stërvit. Situata e tij varet nga klubi dhe nga ai, por shpresoj që ai të qëndrojë. Ai është thelbësor për sistemin tonë dhe ka luajtur vazhdimisht gjatë shtatë muajve të fundit”, deklaroi ai.
Trajneri argjentinas më pas përsëriti besimin e tij në ekip: “Nuk kam dyshuar kurrë në përkushtimin e tyre. Ka ulje-ngritje gjatë sezonit, përfshirë lëndimet. Por qëndrimi dhe përkushtimi i tyre nuk kanë munguar kurrë”.