Robert Lewandowski ishte shumë pranë fitimit të Topit të Artë, por trofeu i takoi Leo Messit për herë të shtatë dhe sipas polakut, argjentinasi është i destinuar të arrijë të tetin pas fitores së Kupës së Botës në Katar.
Sulmuesi e bën këtë parashikim, jo të vështirë, në një intervistë për “Mundo Deportivo”.
“Sigurisht, mund të ketë një lojtar tjetër që luan për të njëjtin klub, por ka vetëm një Kupë Bote që vendos se kush do të fitojë trofeun e ardhshëm. Leo tani është në krye”, është shprehur sulmuesi i Barcelonës.
Robert Lewandowski gjithashtu flet edhe për zhgënjimin e eliminimit në fazën e grupeve me Barcelonën.
“Unë nuk dua që kjo të ndodhë përsëri. Ne kishim shumë dëmtime, por bëmë gabime kundër Bayernit dhe Interit dhe çmimi që paguam ishte eliminimi nga Champions League. Ne e dimë se mund të bëjmë më mirë dhe jam i sigurt për sezonin e ardhshëm”, ka përfunduar polaku.