Barcelona po përballet me shumë dëmtime në këtë periudhë. Frankie De Jong dhe Pedri e mbyllën përpara kohë ndeshjen ndaj Bilbaos.
Ndërkohë, në sfidën e së premtes kundër Mallorcas, që katalanasit e fituan 1-0 falë eurogolit të Yamal, ishte radha e Raphinhas.
Sulmuesi brazilian u largua në minutën e 37′, duke u zëvendësuar me Fermin Lopez. Por, për fat të mirë, dëmtimi në kavilje nuk duket aq i rëndë sa u mendua.
Dhe 27-vjeçari latin pritet të jetë në dispozicion të Xavit për duelin e së martës në Champions League përballë Napolit.
Sfidë tepër e rëndësishme, pasi Barcelona kërkon me çdo kusht kualifikimin në çerekfinale (1-1 në “Diego Maradona”).
“Bëhet fjalë vetëm për një goditje, asgjë tjetër. Ma tha edhe vetë Raphinha se ka marrë vetëm një goditje. Do të jetë gati për Napolin“, theksoi Xavi.
Trajneri qetëson në këtë mënyrë tifozët katalanas. Si pasojë e mungesave, Raphinha u aktivizua në mesfushë në ndeshjen ndaj Mallorcas së Vedat Muriqit.