Lajm i keq për Atalantën dhe Shqipërinë, Gjimshiti pritet të mungojë gjatë

Berat Gjimshiti ishte i pafat, teksa në përballjen që Atalanta barazoi me Milan 1-1, mbrojtësi u dëmtua ku goditjet e marra nga Hernandez dhe Origi rezultuan të ishin të fortë.

Në këto kushte lojtari i kombëtares do të jetë i detyruar të qëndrojë për një periudhë të gjatë jashtë fushave, teksa ky dëmtim do ta mbajë futbollistin larg kuqezinjve në ndeshjet e Nations League.

Lojtari doli nga fusha e lojës duke çaluar pas kontaktit me sulmuesin e Milanit dhe u dyshua menjëherë se ishte diçka shqetësuese. Testet e sotme kanë konfirmuar se është me të vërtetë diçka e tillë dhe se lojtari do të mungojë për shkak të një frakture që ka pësuar.

“Atalanta informon se si vijim i traumës së pësuar gjatë ndeshjes së kampionatit Atalanta-Milan, Berat Gjimshiti iu nënshtrua testeve klinike që kanë evidentuar një frakturë në peronin e këmbës së majtë. Futbollisti ka nisur menjëherë trajtimin e përshkruar në programin e rikuperimit”, shkruhej në njoftimin e klubit.

Sipas mediave italiane, shkalla e dëmtimit do të lërë Gjimshitin jashtë në muajt e ardhshëm, një goditje e rëndë edhe për përfaqësuesen shqiptare para ndeshjeve të shtatorit në Ligën e Kombeve.