Na ndajnë pesë muaj nga përfaqësimi i Kombëtares shqiptare në Europianin e Gjermanisë.
Në qershor, kuqezinjtë do të përballen me Italinë fillimisht, Kroacinë dhe në fund Spanjën, një grup shumë i vështirë, por asgjë nuk është e pamundur. Përgatitjet e Kombëtares do të fillojnë në muajin mars dhe më pas në maj, ekipi do të zhvendoset me shumë mundësi në Austri, aty ku do të zhvillojë një fazë përgatitore të mirëfilltë, ku përfshihen edhe miqësore.
MIQËSORET NË MARS: Ashtu si gazeta ka bërë të ditur, Shqipëria do të marrë pjesë në turneun miqësor që do të organizohet nga Algjeria. Në këtë turne me katër ekipe, do të marrin pjesë, përveç Algjerisë, edhe Bolivia me Afrikën e Jugut. Me një short që do të hidhet, ku do të caktohen dy gjysmëfinalet dhe pastaj një finale dhe një ndeshje për vendin e 3-4, Shqipëria llogaritet që të luajë dy takime miqësore, të cilat janë planifikuar nga data 18-26 mars.
FAZA NË AUSTRI: Përpara zbarkimit në Gjermani në qendrën stërvitore në muajin qershor, ekipi i Silvinjos do të vendoset në Austri, ku do të zhvillojë një fazë përgatitore, me të gjithë lojtarët që trajneri do të përzgjedhë. Zyrtarë të FSHF-së kanë udhëtuar drejt Austrisë për të zgjedhur edhe se ku do të akomodohet ekipi gjatë atyre ditëve, për këtë gjë do të japë edhe “OK”-in trajneri Silvinjo. Gjatë qëndrimit, Kombëtarja do të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore para Europianit. Flitet se një prej kundërshtarëve do të jetë Hungaria, ndërsa emri i dytë ende nuk është zbuluar. Mendohet se shpenzimet gjatë qëndrimit në Austri mund të shkojnë deri në 500 mijë euro për Federatën Shqiptare të Futbollit.
SULMUESIT: Një tjetër çështje do të jetë edhe ajo e sulmuesve të cilët do të futen në listën përfundimtare të Silvinjos për tri ndeshjet e grupit. Padyshim që në miqësoret e marsit do të ketë hapësirë edhe për Armando Brojën, i cili nuk ka pasur shansin me Kombëtaren për shkak dëmtimi, apo Rei Manaj që po shënon rregullisht në Turqi, por ndërkohë aty janë Sokol Cikalleshi, Mirlind Daku, Taulant Seferi, Myrto Uzuni apo Ernest Muçi. Një dilemë më vete do të jetë kjo për brazilianin, i cili duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë mes gjithë këtyre alternativave, sepse UEFA lejon që vetëm 23 futbollistë në protokollin zyrtar të ndeshjes. /panoramasport/