Pas pak javësh, Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje shumë të rëndësishme në kuadër të Kupës së Botës. Për herë të parë në histori, kuqezinjtë janë kualifikuar për në “Play Off” të Botërorit, aty ku na pret një rrugëtim i vështirë.
Fillimisht, Shqipëria do të përballet me Poloninë në datën 26 mars në Varshavë dhe duhet një fitore historike, për të pasur mundësi që të luajmë në finalen e madhe kundër fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, sfidë që do të luhet në Stokholm ose Spanjë.
TAKIMET E SILVINJOS- Trajneri brazilian është rikthyer prej javësh në Tiranë dhe ka nisur përgatitjet për këtë rrugëtim. Krahas vëzhgimit të lojtarëve të Kombëtares që mund të jenë pjesë e skuadrës në “Play Off”, Silvinjo dhe stafi i tij po studiojnë edhe rivalët me të cilët do të përballemi.
Trajneri i Kombëtares së bashku me ndihmësit e tij Doriva dhe Ervin Bulku, kanë zhvilluar gjatë kësaj jave një vizitë pune në Turqi, me qëllim ndjekjen nga afër të disa futbollistëve të ekipit kombëtar që aktivizohen në kampionatin turk.
Stafi teknik kuqezi ishte fillimisht i pranishëm në stadium për sfidën e Kupës së Turqisë mes Bashakshehirit dhe Trabzonsporit.
Gjatë kësaj ndeshjeje, trajneri Silvinjo dhe bashkëpunëtorët e tij vëzhguan nga afër performancën e sulmuesit të kombëtares, Ernest Muçi, i cili u aktivizua si titullar dhe qëndroi në fushën e lojës për të gjitha 90 minutat duke dhënë gjithashtu 2 asiste në fitoren 2-4.
Vizita e stafit vazhdoi edhe një ditë më pas, ku ata ndoqën nga tribuna një tjetër përballje të kupës, atë mes Beshiktashit dhe Rizesporit.
Në këtë takim, mesfushori Kristjan Asllani u aktivizua për skuadrën e bardhezi, duke hyrë në lojë nga stoli në minutën e 78-të.
Ndërkohë, mesfushori tjetër i kombëtares, Qazim Laçi, pjesë e Rizesporit, nuk u aktivizua dhe e ndoqi takimin nga stoli.
Pak ditë më parë, stafi teknik i Kombëtarja e Shqipërisë zhvilloi një vizitë pune në Itali, në kuadër të monitorimit të futbollistëve kuqezi që aktivizohen në kampionatet europiane.
Vëmendja kryesore ishte përqendruar te përballja e Serie A mes Lazio dhe Atalanta, ku luajnë dy nga shtyllat e përfaqësueses shqiptare, Elseid Hysaj dhe Berat Gjimshiti. Mbrojtësi shkodran i Lazios nuk po kalon një moment shumë pozitiv te skuadra e tij, ndërsa mësohet se takimi mes stafit të Kombëtares dhe futbollistit është zhvilluar disa ditë më parë në Tiranë.
Ndërkohë, me kapitenin Gjimshiti, stafi teknik ka zhvilluar një takim në Itali. Përtej ndjekjes së ndeshjes nga tribuna, përfaqësuesit e stafit teknik kanë zhvilluar edhe biseda të drejtpërdrejta me lojtarët. Gjatë këtyre takimeve janë diskutuar jo vetëm sfidat e muajit mars, por edhe forma dhe gjendja aktuale e futbollistëve në klubet e tyre.
Kjo vizitë në Turqi është pjesë e strategjisë së stafit teknik të kombëtares për të monitoruar nga afër gjendjen dhe formën e lojtarëve shqiptarë që aktivizohen jashtë vendit.
Përmes kontakteve dhe vëzhgimeve në stadium, trajneri Silvinjo synon të ketë një panoramë sa më të qartë mbi formën e futbollistëve përpara sfidave të ardhshme ndërkombëtare.
SITUATA ME DËMTIMET- Armando Broja është shumë pranë konfirmimit për të qenë mungesa e madhe e ndeshjeve “Play Off” duke qenë se prej javësh është jashtë skuadrës së Bërnleit si shkak i dëmtimit të pësuar, i cili vazhdon të mbetet enigmë dhe ende nuk është e qartë se për çfarë dëmtimi bëhet fjalë.
Sakaq, jashtë vazhdon të jetë edhe Medon Berisha i cili prej muajsh është i dëmtuar me Leçen duke munguar për disa ndeshje dhe pritet që të rikthehet në fushë në javën e parë të muajit prill. Ndërkohë, së fundmi edhe Simon Simoni është raportuar i dëmtuar dhe nuk dihet sa do të mungojë.
