Padyshim, që ndër më të mirët e kësaj Kupe Bote janë lojtarët, që oragnizojnë ofensivat “vetëtimë”, të parizienëve, më konkretisht Lionel Messi dhe Kylian Mbappe.
“Pleshti” ka shkëlqyer deri më tani, ku ka arritur të shpallet 4 herë si lojtari më i mirë i ndeshjes, nga 6 ndeshje të mundshme. Kjo është hera e dytë që përsëritet ky rekord, ku për herë të parë do të ishte sërish Messi, që e arrinte diçka të tillë në Brazil 2014.
Me ndihmën e talenteve të reja si Enzo Fernandez, Mac Allister dhe Julian Alvarez, Leo Messi ka bërë të tijën duke “furnizuar” ekipin e tij, me 5 gola e 3 asiste, më shumë se kushdo tjetër në “Katar 2022”.
Në anën tjetër, Franca është një nga ekipet që ka shënuar më shumë në këtë Kupë Bote. Protagonist padyshim është një dhe i vetëm, Kylian Mbappe, i cili edhe pse i shoqëruar nga një “bomber” klasi në repartin sulmues ka treguar se di si të jetë një lider i ekipit.
Me 5 gola e 2 asiste, Mbappe vazhdon të vendosë rekorde personale, pasi vetëm në moshën 23-vjeçare, Kylian ka arritur të shënojë plot 9 herë në vetëm 11 ndeshje në Botëror, me shumë se kushdo tjetër për atë numër ndeshjesh.
Përballja e sotme, padyshim që do të jetë vendimtare në shumë aspekte dhe një ndër to është dhe përcaktimi i fituesit të “Këpucës së Artë”, të “Katar 2022”.