Kristjan Asllani, me sa duket e ka mbyllur me Torinon. Klubi “granata” nuk është gati të paguajë në fund të sezonit 11,5 milionë euro për kartonin e tij, ndaj po planifikon që ta kthejë përsëri mbrapsht lojtarin tek Interi që e ka në pronësi.
Një marrëveshje që nuk është finalizuar, por për të cilën presidenti i Interit, Xhuzepe Marota, theksoi se mund të ndodhte.
Ai la të kuptohet se për Asllanin do të gjendej një zgjidhje tjetër, që me sa duket kanë nisur ta diskutojnë që dje, kur u hapën lajmet për largimin e tij nga Torino.
Sipas gazetarit të njohur për merkaton në Itali, Nikolo Skira, largimi i tij nga Torino është çështje e kryer dhe tashmë klubi zikaltër ia ka propozuar Asllanin klubit të Fiorentinës.
Skuadra e qytetit të Firences aktualisht është në fundin e tabelës së klasifikimit në Serinë A, por po bën një revolucion të mirëfilltë duke larguar lojtarë që kanë zhgënjyer ndaj ajo mund të jetë e interesuar per Asllanin.
Edhe ky i fundit gjithashtu ka nevojë për një projekt të ri pas dështimit te Torino, duke kërkuar një klub që do ketë besim te aftësitë e tij plotësisht.
