Taulant Xhaka ka kaluar 10 vite në radhët e Bazelit dhe tashmë cilësohet si një futbollist simbol i kësaj skuadre. Por duket se kohët e fundit, ish-mesfushori i kombëtares shqiptare dhe klubi nuk kanë një marrëdhënie të mirë dhe raportohet se ka një krisje sa i përket kontratës në fuqi mes palëve.
Tifozët në fundjavë kënduar gjatë në kor emrin e tij, duke u rreshtuar përkrah futbollistit, i cili raportohet nga “CH Media” se është lënë në baltë nga drejtuesit e klubit që kanë ndryshuar planin për të ardhmen e tij. Futbollisti 31-vjeçar ka një kontratë deri në vitin 2024 me këtë klub dhe do të dëshironte që ta zgjaste për të vazhduar deri në mbyllje të karrierës në atë që e cilëson “shtëpinë e tij”. Por politikat e drejtuesve të rinj të klubit kanë ndryshuar dhe fillimisht atij i është kërkuar që të ulë rrogën e rakorduar disa vite më parë.
Për më tepër, Xhaka ka një klauzolë në kontratë që i jep të drejtën që të rinovojë marrëveshjen automatikisht deri në vitin 2025 nëse aktivizohet për një numër të caktuar ndeshjesh. Për të ndryshuar kontratën, Xhakës iu afrua një marrëveshje e re që do të hynte në fuqi nga 2024 dhe e cila parashikonte që pasi të mbyllte karrierën, ish-mesfushori i kombëtares të bëhej trajner i të rinjve. Xhaka dukej parimisht dakord, për sa kohë që do të luante deri në vitin 2025.
Por më pas negociata u ndërprenë, pasi klubi kërkoi që marrëveshja për zgjatjen pas 2024, të ishte dypalëshe, si dhe hoqi opsionin që ai të bëhej trajner, duke i ofruar maksimumi një rol ndihmësi. Sipas Xhakës, kjo do të nënkuptojë se që sezonin e ardhshëm, ai do të ketë rol dytësor në ekip.
Ndaj ka ardhur edhe kjo krisje mes palëve që për momentin duket se nuk ka zgjidhje, nëse drejtuesit apo lojtari nuk bëjnë prapakthehu. Xhaka tani rrezikon ta shohë veten në tribunë në sezonin e ardhshëm meqë klubi ka vendosur që të bllokojë rinovimin automatik të marrëveshjes me të.