Skënderbeu U19 ka reaguar fuqishëm pas akuzave të Aston Villa për thirrje raciste gjatë ndeshjes së UEFA Youth League.
Klubi anglez kishte ngritur pretendime për sjellje raciste nga tifozët e Skënderbeut, duke e denoncuar rastin si të papranueshëm. Megjithatë, KF Skënderbeu ka hedhur poshtë këto akuza me një deklaratë të fortë të publikuar në rrjetet sociale, duke i quajtur ato të pavërteta dhe të paargumentuara.
Në postimin e tij, klubi korçar theksoi se nuk ka pasur asnjë moment gjatë ndeshjes që të ketë pasur thirrje raciste ndaj lojtarëve të Aston Villa, si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. Sipas Raportit të Arbitrave dhe Delegatëve të ndeshjes, nuk ka pasur asnjë dëshmi apo indikacion për sjellje raciste, duke e cilësuar këtë akuzë si të pabazuar.
Skënderbeu gjithashtu shprehu indinjatën e tij për mënyrën se si një klub prestigjioz si Aston Villa e ka justifikuar humbjen e ndeshjes, duke shpikur situata të pabaza dhe pa fakte. Klubi korçar kërkoi që Aston Villa, që kishte mundësinë të transmetonte ndeshjen live dhe disponon pamje filmike, të bëjë publike materialet filmike të ndeshjes për të hedhur poshtë trillimet dhe për të treguar të vërtetën.
Në përfundim, KF Skënderbeu kërkoi që të gjithë faktorët të fokusohen tek vlerat e futbollit, duke nënvizuar rëndësinë e respektit, fair-play-it, dhe gjithëpërfshirjes. Klubi theksoi se futbolli është një gjuhë universale që bashkon njerëzit dhe duhet të jetë një mjet që promovon unitetin dhe pasionin për lojën, larg çdo formë diskriminimi.
Reagimi i plotë:
Klubi i Futbollit “Skënderbeu” është njohur sot me vendimin e UEFA-s për hapjen e çështjes disiplinore për korre raciste në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës për ndeshjen UEFA Youth League, Skënderbeu U19 – Aston Villa U19.
KF Skënderbeu mohon kategorikisht akuzat e ekipit Anglez duke vendosur në dukje se në asnjë moment nuk ka pasur thirrje raciste karshi asnjë lojtari si në fushën e lojës, por edhe jashtë saj.
Ky Fakt është lehtësisht i verifikueshëm nga Raporti i Arbitrave dhe Delegatit të ndeshjes të cilët kanë deklaruar se nuk kanë qenë dëshmitar të asnjë thirrje raciste karshi ekipit kundërshtar.
KF Skënderbeu shpreh indinjatën për faktin se si një klub Profesionist si Aston Villa justifikon rezultatin e ndeshjes duke trilluar situata të paverteta të cilat nuk kanë lidhje me atë çka ndodhi në stadiumin “Skënderbeu”.
Inkurajojmë klubin e Aston Villa e cila ka pasur të drejtën për të transmetuar LIVE’ këtë ndeshje, dhe gëzon pamjet filmike të ndeshjes të vendosë në dispozicion pamje filmike në vend të trillimeve pa fakte dhe të neveritshme.
Ne jemi dëshmitarë të një organizimi në standardet e kërkuara nga UEFA dhe gjatë gjithë ndeshjes si organizatorët por edhe tifozët e pranishëm në stadium kanë treguar RESPECT, FAIR-PLAY DHE GJITHEPËRFSHIRJE, vlera që vetë loja e Futbollit mbart në vetvete, vlera të cilat nuk janë respektuar në asnjë moment nga Klubi i Aston Villa, drejtuesit e të cilëve para, gjatë dhe pas ndeshjes kanë treguar mos-respekt ndaj Klubit tonë.
KF Skënderbeu beson se Futbolli është më shumë së një lojë – është një urrë e cila bashkon njerëzit pavarësisht kufijve, gjuhës dhe prejardhjes, duke na kujtuar se thelbi i kësaj loje magjike qëndron në unitet, respekt, gjithëpërfshirje dhe pasion të përbashkët.
Futbolli është një gjuhë universale që bashkon njerëzit ndaj KF Skënderbeu bën thirrje faktorëve të ndeshjes të fokusohemi tek Futbolli i luajtur dhe vlerat që klubet respektive mbartin.
Me respekt,
KF Skënderbeu