Konfirmohet interesimi i Barcelonës për Luis Diaz – barrierë mbetet çmimi marramendës që ia ka caktuar Liverpooli

Me afatin kalimtar veror që nuk është shumë larg, Barcelona janë duke bërë planet e tyre teksa drejtori Deco dhe presidenti Joan Laporta kanë qenë mjaft të zënë në këtë aspekt.

Më herët gjatë ditës ishte raportuar se presidenti i Barcelonës kishte mbajtur takim me Pini Zahavin, agjentin e Robert Lewandowskit dhe Hansi Flickut.

Megjithatë, duket se Laporta ka qenë i zënë në një takim me një agjent tjetër së fundmi. Sipas raportimit nga mediumi katalanas SPORT, Joan Laporta është takuar me agjentin e sulmuesit të Liverpoolit, Luis Diaz.

Diaz është rikthyer fuqishëm pas lëndimit që e la atë jashtë fushave për pjesën më të madhe të sezonit, dhe tani është startues i padiskutueshëm nën urdhrat e Jurgen Klopp, duke shënuar 11 gola dhe duke dhuruar pesë asistime.

Sipas raportit, Laporta thuhet se ka pyetur se sa do të duhej që ata të paguanin që Diaz të largohet nga Liverpooli për tu transferuar tek Barça.

Në përgjigje, agjenti thuhet se i ka përmendur atij një shifër stratosferike në vlerë prej 120-140 milionë eurosh, por duke marrë parasysh rolin e tij tek Liverpooli dhe faktin që ka kontratë deri në 2027, ky çmim nuk është një befasi.

Duke marrë parasysh gjendjen financiare të blaugranasve, pagesa e asaj shume është përjashtuar dhe këtë Laporta ia ka bërë me dije agjentit të Diaz. “Është e pamundur”, besohet se ka thënë Laporta. /Telegrafi/


Shtuar 11.03.2024 21:50