Kohët e këqija për Nejmarin nuk kanë fund/ Braziliani shpërthen ndaj arbitrit: Arrogant, më kërcënoi, sjellje e papranueshme

Kohët e këqija për Nejmarin nuk kanë fund. Diten e djeshme, kampioni brazilian u rikthye në formacionin titullar për herë të parë pas dy muajsh me probleme në kofshë, por Santos humbi 3-2 ndaj Flamengos.

Ishte një ndeshje nervoze për ish-lojtarin e PSG-së, i cili mbajti edhe shiritin e kapitenit. Ai mori një karton të verdhë për protestë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, iu drejtua ashpër gjyqtarit.

“Gjyqtari është i tmerrshëm. Përveçse është i keq, dhe me gjithë respektin e duhur, ai është arrogant. Kjo është fjala e duhur. Sa herë që shkojnë në dhomat e zhveshjes, thonë se vetëm kapiteni mund të flasë. Kur përpiqemi të flasim me të, ai na kthen shpinën dhe largohet. Kur flas me të, na kërcënon. Është e komplikuar. Mora një karton të verdhë sepse më kërcënoi. Ai tha: ‘Nëse afrohesh më shumë, do të të ndëshkoj’. Unë iu përgjigja: ‘A nuk mund të flas me ty’?

“Sipas mendimit tim, pati një faull ndaj Brazaos dhe nuk duhej të kishte as goditje nga këndi dhe as gol për kundërshtarët. Gjyqtarët në Brazil bëjnë shumë gabime. Duhet të ndërhyjmë. Arroganca e gjyqtarit, emrin e të cilit as nuk e di, është e papranueshme”, tha ai për TNT Sports pas ndeshjes.


Shtuar 10.11.2025 15:45

Tags: