Kobbie Mainoo ëndërron të luajë përkrah yllit të Arsenalit

Kobbie Mainoo thotë se Declan Rice “ia vlen çdo qindarkë” (për atë që ka paguar Arsenali) dhe ëndërron të luajë përkrah mesfushorit të Gunners në nivel ndërkombëtar me Anglinë.

Rice e ka ngritur lojën e tij në sezonet e fundit dhe konsiderohet si një nga mesfushorët më të mirë në Ligën Premier pas transferimit të tij prej 120 milionë euro nga West Ham United verën e kaluar.

“Dec është një lojtar kaq i mirë, i besueshëm dhe dominon në mesfushë”, deklaroi fillimisht sensacioni i Manchester United.

“Kur luaj me të, është gjithmonë kënaqësi të kesh dikë kaq të fortë me topin pranë teje”.

“Të gjithë e dinë se ai vlen çdo qindarkë, ai është një lojtar shumë i mirë. Ai e ka dëshmuar këtë në Ligën Premier dhe me kombëtare”.

“Të luaj së bashku me Rice, më çliron shumë dhe më lejon të shkoj përpara, të sulmoj dhe të besoj se ai është atje. Është një ëndërr”, ka shtuar më tej Mainoo. /Telegrafi/


Shtuar 18.06.2024 22:18