Klubi i njohur “piketon” Baton Zabërgjan, Dinamo kërkon 2.5 milionë euro

Baton Zabërgja është në radarin e Rubin Kazan. Sulmuesi i Dinamos kërkohet nga klubi rus, që kërkon të shtojë forcat në fazën ofensive.

Mediat ruse zbulojnë se klubi dinamovit do të ishte i gatshëm për të lënë të lirë yllin e skuadrës, në rast se ofrohen 2.5 milionë euro. Kjo shumë ndërkohë është e padëgjuar më parë për Superioren.

Zabërgja është pjesë e Dinamos nga vera e vitit 2023. Shpërthimin e pati në këtë edicion me Ilir Dajën si trajner. 24-vjeçari shënoi 15 gola në total, ndërsa asistoi edhe 10 të tjerë në të gjitha kompeticionet.

Dinamo fitoi Kupën e Shqipërisë pas 22 viteve pritje. Ky trofe ishte i pari për Zabërgjën në karrierën e tij. Në rast se do të konkretizohej lëvizja te Rubin Kazan, do të bashkohej me tre sulmues të tjerë shqiptarë. Pjesë e klubit rus janë Daku, Çuni dhe Shabanhaxhaj.


Shtuar 27.05.2025 21:09

Tags: , ,