Kërkesa të ekzagjëruara, ngec transferimi i Nico Williams te Barcelona

Përpjekjet e Barcelonës për të nënshkruar me anësorin e Athletic Club, Nico Williams, janë përballur me një pengesë të papritur.

Sipas Mundo Deportivo, bisedimet me agjentin e lojtarit janë bllokuar, duke shkaktuar shqetësim në ambientet e klubit katalanas.

Nico, përmes përfaqësuesit të tij, i ka komunikuar Barçës dëshirën për të veshur fanellën blaugrana. Kjo ka ringjallur bazën e marrëveshjes së verës së kaluar, duke sjellë një marrëveshje verbale për një kontratë gjashtëvjeçare me pagë të dakordësuar.

Megjithatë, sapo palët nisën ta formalizonin marrëveshjen me shkrim, negociatat u ndalën. Shkaku kryesor është insistimi i kampit të lojtarit për garanci të qarta dhe të detajuara lidhur me regjistrimin e tij në La Liga.

Këto kërkesa burojnë nga shqetësimet për rastet e mëparshme të Barcelonës me Dani Olmo dhe Pau Víctor, ku regjistrimi i tyre u vonua për shkak të problemeve me “fair play”-n financiar. Barcelona ka dhënë siguri se situata është nën kontroll, por agjenti i Nicos kërkon klauzola të qarta ligjore.

Klubi katalanas i konsideron këto kërkesa si të ekzagjeruara dhe të panevojshme. Pavarësisht dëshirës për të mbyllur transferimin, te Barça po rritet pakënaqësia me mënyrën si po zhvillohen negociatat.

Ndërkohë, Athletic Club ka ndërmarrë hapa konkretë për të vënë në pikëpyetje aftësinë e Barcelonës për të regjistruar lojtarë. Javën e kaluar, ata mbajtën një takim me La Ligën dhe më pas publikuan një deklaratë ku kritikonin edhe drejtorin sportiv të Barçës, Deco, për pranimin publik të interesit për Nicon.

Në këtë situatë, Bayern Munich mbetet një alternativë serioze. Gjigantët gjermanë janë të gatshëm të paguajnë klauzolën e lirimit prej 58 milionë eurosh, që me rregullimet për inflacionin shkon deri në rreth 62 milionë euro.

Ndonëse dëshira e lojtarit është të bashkohet me Barcelonën, Bayerni po pret një hap të gabuar nga Barça për të përfituar. Athletic Bilbao, për më tepër, nuk do të kishte kundërshtime nëse lojtari do të transferohej në Bundesligë, për të shmangur forcimin e një rivali të drejtpërdrejtë në Spanjë.

Fati i marrëveshjes tani varet nga vetë Nico Williams. Nëse ai pranon të zbusë kërkesat për garanci, transferimi mund të realizohet. Në të kundërt, një tjetër klub mund të përfitojë nga ngërçi aktual.


Shtuar 30.06.2025 14:55