Atletico Madrid dhe Real Madridi kanë zhvilluar 90 minuta të zjarrta, siç ndodh zakonisht, që u mbyllën me rezultat të barabartë 2-2, e ku fituesi do të mësohet pas vazhdimeve, ose penalltive.
Mbretërit e nisën më mirë ndeshjen, duke krijuar disa raste shumë të mira para portës së Jan Oblak.
Në minutën 11-të ishte Jude Bellingham që goditi shtyllën, ndërsa Vinicius nuk e qëlloi portën e zbrazët.
Në anën tjetër Samuel Lino nuk gaboi në rastin e parë të mirë për Los Colchoneros, duke shënuar për 1-0 në minutën e 39-të.
Por në minutën e fundit të kohës së rregullt, ishte Jan Oblak që gaboi në dalje dhe dërgoi një top në portën e tij për 1-1.
Edhe pjesa e dytë, sikurse e para doli të jetë e bukur dhe me gola.
Vendasit sërish morën epërsinë në minutën e 57-ye, me Alvaro Moratan që përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Real Madidit për të shënuar për 2-1.
Por mbretërit arritën të barazonin në minutën e 82-të, kur Jude Bellingham asistoi bukur te Joselu që shënoi për 2-2.
Deri në fund të dy skuadrat krijuan nga një rast për gol, por që nuk arritën të ndryshonin rezultatin.
Fituesi tashmë do të dihet pas vazhdimeve, ose penalltive, e ku në lojë është një vend në çerekfinale të Kupës së Mbretit. /Telegrafi/