Katër ekipe të Serisë A në garë për Antonio Conten

Antonio Conte jep sinjale rikthimi në pankinë. Këtë herë ka qenë ndihmësi i tij historik, Cristian Stellini, që ka deklaruar se tekniku italian mezi pret rikthimin në pankinë dhe që në verë mund të pranojë ndonjë nga ofertat që i vijnë.

“Konte ka dëshirë të madhe për t’u rikthyer, por shërben projekti i duhur. Ai dëshiron një punë që t’i japë stimujt e duhur, siç ka ndodhur në të shkuarën”, u shpreh Stellini.

Klubet që kanë shfaqur interes për Conten janë të shumta, duke nisur nga Juventusi, që nuk i ka rinovuar ende kontratën Allegrit, për të vijuar me Milanin, Romën e Napolin. Megjithatë Stellini nuk pranon të japë detaje mbi ofertat konkrete që kanë ardhur në drejtim të Contes.

“Unë di vetëm që dëshiron shumë të rikthehet dhe nuk kam më shumë detaje, pasi koha dhe vendi janë ekskluzivitet i tij. Sigurisht që skuadrat që qarkullojnë janë opsione për Conten, pasi flitet për klube të mëdha. Megjithatë diferencën do ta bëjë projekti që do t’i propozojë çdonjëra prej tyre”, tha Stellini.

Conte është i papunë që prej marsit të vitit të kaluar, kur u largua me marrëveshje nga Tottenhami, pas rezultateve të dobëta të skuadrës londineze.


Shtuar 7.02.2024 22:51