Ka ftuar 27 lojtarë për Euro 2024: Do të largohet vetëm një nga lista, Sylvinho zbuloi se cili është plani i tij

Sylvinho është pyetur nga gazetarët se përse ka ftuar 27 lojtarë, në vend të 26 emrave që lejohen nga UEFA për Kampionatin Evropian.

Ky afat do të jetë deri më 7 qershor kur do të përcaktohet lista finale për Euro 2024 që fillon më 14 korrik.

Selektori i kuqezinjve ka thënë se ai ka ftuar 27 futbollistë, për shkak se deri më 7 qershor mund të lëndohet ndonjë prej tyre dhe shtëpia e futbollit evropian e lejon vetëm një largim.

“UEFA ka një rregull se nëse ndonjë lojtar lëndohet pas datës 7qershor, atëherë mund të bëjë vetëm një ndryshim”, deklaroi fillimisht Sylvinho.

“Natyrisht se ne do të shikojmë gjendjen fizike të gjithë lojtarëve para datës 7 qershor dhe do të vendosim pastaj nëse do të ketë ndryshime në listë apo jo”.

Kështu, Sylvinho do të ketë kohë deri më 7 qershor që të finalizojë listën e tij, megjithatë mosftesa e Sokol Cikalleshit dhe Myrto Uzunit ka shkaktuar shumë befasi. /Telegrafi/


Shtuar 27.05.2024 18:04