Julio Cesar është padyshim një nga emrat më të njohur të portës, që ia doli të fitojë tripletën e famshme me Interin e Jose Mourinhos dhe pikërisht me portugezin ka pasur një episod mjaft interesant, kur trajneri mbërriti te zikaltrit.
“Unë luaja zakonisht me bluzë ngjyrë gri, por në verën që erdhi Mourinho, ditën e parë gjeta në dhomat e zhveshjes një artikull ku shpjegohej se portierët që veshin bluzë me ngjyra të forta, vënë në vështirësi sulmuesit kundërshtarë. Nuk e dija, por vetëm më vonë e mësova që këtë artikull e kishte lënë aty Mourinho. ‘Unë shoh nga porta dhe nuk më kap syri portierin tim’, më tha një ditë, duke u përpjekur të më shpjegojë se me bluzën që vishja, nuk tërhiqja vëmendjen”, rrëfen Julio Cesar.
Megjithatë një episod para një transferte ndaj Fiorentinës, solli jo pak tension mes të dyve dhe bëri që Julio Cesar që atëherë të lunate me fanellën me ngjyrë të verdhë.“Më thirri në zyrë dhe debatuam gjatë për ngjyrën e fanellës. Në fund diskutimi u mbyll me fjalët e Mourinhos, që më tha: bëj ç’të duash, por unë dua një portier me personalitet dhe jo një që I kalon topi poshtë këmbëve. Të nesërmen unë vesha fanellën me ngjyrë të verdhë dhe fituam ndeshjen. Që nga ai moment, luajta gjithmonë me fanellë me ngjyrë të verdhë, ndonëse sponsorëve nuk u pëlqeu shumë”, mbyll rrëfimin e tij Julio Cesar.