Jose Mourinho po synon rikthimin për herë të dytë në stolin e Manchester United

Jose Mourinho raportohet se do të dëshironte të merrte një mundësi të dytë tek Manchester United për të zëvendësuar Erik ten Hag.

Sipas Manchester Evening News, tekniku portugez ka shprehur dëshirën e tij që të drejtojë Unitedin përsëri, pasi iu tregua dera e largimit në dhjetor të 2018.

Është lënë të besohet se Mourinho do të donte një mundësi të dytë në ‘Old Trafford’ pasi ai ndan një raport të mirë me aksionarin e United, Sir Jim Ratcliffe, por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme që ai të marrë një punë të re pas shkarkimit nga Roma në janar.

Raporti shton se Mourinho nuk pret që të kontaktohet nga ‘Djajtë e Kuq’, të cilët po ngurrojnë të punojnë sërish me 61-vjeçarin në këtë pikë.

Mourinho gjatë kohës së tij si trajner i United kishte fituar Ligën e Evropës dhe Carabao Cup ndërsa në ligë përfundoi në vendin e dytë dhe eventualisht u shkarkua pas startit të dobët të sezonit 2018/2019.

Pozita e Ten Hagut tek United është në dyshime të mëdha pasi klubi ka pësuar humbjen e 13-të këtë sezon në Ligën Premier, pasi u mposhtën me rezultat 4-0 si mysafir të Crystal Palace.

Është raportuar se Bayern Munichu janë të interesuar për Ten Hag dhe ishte imagjinuar ideja e shkëmbimit të trajnerëve mes bavarezëve dhe Unitedit.

Në rast se Manchester United nuk arrin që të sigurojë kualifikimin në garat evropiane sezonin e ardhshëm, atëherë shkarkimi i Ten Hagut do të ishte i pashmangshëm. /Telegrafi/