Joao Cancelo në një intervistë të dhënë së fundmi ka shpërthyer në ‘ofendime’ ndaj klubit të tij mëmë Manchester Cityt, aty ku ka akuzuar trajnerin Pep Guardiola për ‘gënjeshtrat’ që ka thënë në publik.
Reprezentuesi portugez po luan momentalisht në formë huazimi tek Barcelona, pasi kishte shpenzuar pjesën e parë të vitit të kaluar si huazim tek Bayern Munich.
Raportimet sugjeruan se Guardiola nuk ishte i lumtur me reagimin e Cancelos pasi u la jashtë formacionit startues në sezonin që ‘Qytetarët’ e fituan tripletën.
Sido që të jetë, në një intervistë për mediumin portugez A Bola, 29-vjeçari ka folur rreth këtyre pretendimeve të Guardiolës.
“Gënjeshtra u thanë. Unë nuk kam qenë asnjëherë një shok skuadre i keq dhe mund t’i pyesni (Nathan) Aken ose Ricon (Lewis). Unë nuk kam ndonjë kompleks superioriteti apo inferioriteti karshi tyre, kjo është vetëm sipas mendimit të trajnerit”, ka thënë fillimisht Cancelo.
“Unë qëndrova sepse nuk ishte e vërtetë. Unë mendoj se Man City ishin paksa mosmirënjohës ndaj meje kur e thanë këtë, sepse unë isha një lojtar shumë i rëndësishëm gjatë viteve sa i kalova aty”.
“Unë kurrë nuk kam dështuar që t’i përkushtohem klubit dhe tifozëve, gjithmonë kam dhënë më të mirën. E kujtoj kohën kur shtëpia ime u sulmua dhe të nesërmen ne po luanim ndaj Arsenalit”.
“Këto janë gjëra që nuk mund t’i harroni. Unë e lash gruan time dhe vajzën të vetme në shtëpi, të tmerruara. Njerëzit do ta kujtojnë këtë vetëm sepse Guardiola ka më shumë fuqi se unë kur ai thotë diçka”, përfundoi portugezi. /Telegrafi/