Jo vetëm shorti, sot zgjidhet edhe lojtari e trajneri më i mirë i vitit nga UEFA

Sot do të mbahet ceremonia e shortit të Ligës së Kampionëve dhe asaj të Europa League për sezonin 2021/22.

Pas përfundimit të shortit, do të bëhet edhe ndarja e çmimeve të lojtarit dhe trajnerit më të mirë të vitit.

Tre lojtarët e nominuar për çmimin e më të mirit të vitit janë: Kevin De Bruyne, N’Golo Kante dhe Jorginho.

Të tre ishin të suksesshëm me skuadrat e tyre, belgu duke fituar titullin e ligës dhe kupën Carabao me Man City, gjersa dy bashkëlojtarët tek Chelsea fituan Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Evropës.

Sidoqoftë, Jorginho mund të konsiderohet më i suksesshmi nga të nominuarit, pasi përpos trofeve me klubin, ai arriti të fitoj trofe edhe në nivel kombëtaresh, duke triumfuar në finalen e Europianit 2020 ndaj Anglisë.

Italiani thuhet se është favorit që ta fitojë këtë çmim gjatë ditës së sotme.

Në anën tjetër do të ketë një garë të ashpër edhe për çmimin e trajnerit më të mirë të vitit, aty ku të nominuar janë: Pep Guardiola, Roberto Mancini dhe Thomas Tuchel.

Spanjolli Pep fitoi dy trofe me Manchester Cityn këtë sezon, po aq sa Thomas Tuchel me Chelseam, kurse Mancini ishte fitues i “Euro 2020” me kombëtaren e Italisë.

Gara për trajnerin e vitit mund të jetë mes gjermanit Tuchel dhe italianit Mancini.

Ceremonia e hedhjes së shortit dhe ndarjes së çmimeve do të filloj nga ora 18:00.


Shtuar 26.08.2021 16:45