Jasir Asani zgjedh milionat iraniane! Kalon te Esteglal, por Kuangju kërkon 1 milion euro për ta lënë të lirë
Jasir Asani është shumë pranë një transferimi surprizë në futbollin iranian. Mediat nga Teherani raportojnë se sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë ka arritur një marrëveshje paraprake me klubin e njohur iranian Esteglal, një ndër skuadrat më të mëdha dhe me histori të pasur në vend.
Sipas të përditshmes “Teheran Times”, Asani ka zgjedhur të vijojë karrierën në Iran, pas dy vitesh të suksesshme në Korenë e Jugut me skuadrën e Kuangju. Firma me Esteglal do të jetë për një periudhë 18-mujore, edhe pse hollësitë financiare nuk janë bërë publike. Besohet se pagesa në Iran do të jetë më e lartë se sa rroga aktuale në Korenë e Jugut.
Esteglal është një nga emrat më të mëdhenj të futbollit aziatik. Me 9 tituj kampionë dhe 2 trofe të Champions-it të Azisë, klubi nga Teherani përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierën e Asanit. Emri i klubit përkthehet “Pavarësia”, dhe njihet si skuadra më e vjetër në vend.
Megjithatë, kalimi i tij kërkon edhe marrëveshjen e Kuangju-së, që ka nën kontratë Asanin deri në dhjetor të këtij viti. Klubi koreanojugor kërkon të paktën 1 milion euro dëmshpërblim për të lejuar largimin e tij.
Ky interesim nuk është i pari për sulmuesin nga Shkupi. Jokohama nga Japonia gjithashtu tentoi ta transferonte, por pa sukses.
Performanca e Asanit në sezonin aktual ka qenë mbresëlënëse, 8 gola dhe 2 asist në 21 ndeshje të kampionatit korean dhe 9 gola dhe 1 asist në 10 ndeshje të Champions-it aziatik, ku ndihmoi Kuangjun të arrinte çerekfinalet në sezonin e saj debutues.