Jasir Asani shënon supergol me Esteghlal (VIDEO)

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, ishte protagonist në fitoren e rëndësishme 0-3 të Esteghlal në transfertë ndaj Al Muharra.

Ndeshja ishte e vlefshme për raundin e gjashtë dhe të fundit të Grupit A në Champions-in e dytë aziatik, një përballje vendimtare për fatin e kualifikimit në fazën pasuese të kompeticionit.

Para kësaj sfide, situata në grup ishte e qartë për skuadrën iraniane. Esteghlalit i duhej vetëm fitorja për të siguruar vendin e dytë dhe për të kaluar më tej, ndërsa çdo rezultat tjetër do ta linte jashtë.

Skuadra arriti ta menaxhojë ndeshjen dhe të marrë tre pikët e nevojshme, duke e mbyllur grupin me 8 pikë, një më shumë se Al Muharra, që u rendit pas saj.

Goli që vulosi përfundimisht fatin e takimit erdhi në minutën e 87-të dhe mban firmën e Jasir Asanit.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi pas një gjuajtjeje të saktë nga jashtë zone, duke shënuar golin e tretë për Esteghlal dhe duke mbyllur çdo diskutim për rezultatin final.

Ky ishte realizimi i dytë i Asanit në këtë edicion të Champions-it 2 aziatik.

Paraqitja e tij u vlerësua pozitivisht edhe nga statistikat individuale. Sipas platformës “SofaSkor”, Asani mori notën 7.6, duke qenë mes lojtarëve më të vlerësuar në fushë për këtë përballje.

Kontributi i tij u konsiderua i rëndësishëm si në fazën sulmuese, ashtu edhe në menaxhimin e lojës në minutat vendimtare.

Pas gjashtë ndeshjesh të zhvilluara në grup, Esteghlal përfundon fazën e grupeve me 8 pikë, duke siguruar kualifikimin si skuadra e dytë e Grupit A.

Në planin individual, Asani po kalon një sezon pozitiv edhe në kampionat, ku ka shënuar gjashtë gola në 12 ndeshje të luajtura deri tani.

Sulmuesi 30-vjeçar është pjesë e klubit iranian që nga muaji gusht dhe, që prej afrimit të tij, ka dhënë një kontribut të qëndrueshëm në të dyja kompeticionet, kampionat dhe arenë ndërkombëtare.

 


Shtuar 25.12.2025 07:47