Iu drejtua tifozëve në gjuhën spanjolle, cili ishte mesazhi i Jude Bellingham gjatë festës së titullit?

Tifozët e Real Madridit po flasin rreth fjalimit që Jude Bellingham e dha në gjuhën spanjolle gjatë festës së klubit për titullin e fituar të La Ligas.

Të dielën, Real Madridi festoi titullin e 36-të të La Ligas me një paradë në rrugët e kryeqytetit spanjoll Madridit.

‘Los Blancos’ u kurorëzuan kampionë vikendin e kaluar kur Barcelona humbi me rezultat 4-2 ndaj Gironës, por festa nuk nisi menjëherë pasi ekipi i Carlo Ancelottit kishte vëmendjen tek ndeshja e dytë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve ndaj Bayern Munich.

Mijëra tifozë iu bashkuan festës dhe u mblodhën së bashku ashtu siç tashmë e ka bërë traditë klubi tek sheshi Cibeles që gjendet në qendër të Madridit, aty ku tifozët patën mundësinë të dëgjojnë fjalimet e lojtarëve.

Njëri prej tyre ishte edhe Jude Bellingham i cili këtë sezon ka shënuar 22 gola dhe ka dhuruar 10 asistime në të gjitha garat, duke u adaptuar shumë shpejt me jetën në Spanjë dhe stilin e lojës të Real Madridit.

Bellingham tregoi se ka mbajtur kurs të gjuhës spanjolle dhe këtë e dëshmoi kur mbajti një fjalim të shkurtë në gjuhën spanjolle.

“Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj këtë sezon. Edhe një tjetër ndeshje e madhe në Wembley. Le të shkojmë për të fituar. Hala Madrid!”, ishin fjalët e Bellingham. /Telegrafi/


Shtuar 12.05.2024 16:32