Italia zgjedh trajnerin e ri, pritet vetëm zyrtarizimi

Luciano Spalletti do të jetë trajneri i ri i Italisë. Ish-trajneri i Napolit ka takuar presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina dhe kanë arritur marrëveshjen në parim, teksa përjashto ndonjë surprizë të madhe, Spalletti do të marrë vendin e Roberto Mancinit.

Tekniku toskan u largua nga Napoli në fund të sezonit, menjëherë pasi i dha skuadrës titullin kampion, pasi preferoi të qëndrojë pushim, megjithatë dorëheqja e Mancinit e joshi që të rikthehet menjëherë në punë.

Mbetet për t’u zgjidhur çështja e kontratës me Napolin, pasi De Laurentiis kërkon dëmshpërblim për prishjen e parakohshme të saj, teksa gjasat janë që të arrihet një marrëveshje me Spallettin që është gati të heqë dorë nga pagat që ka për të marrë, në mënyrë që të mos penalizohet.

Po këtë të premte, pritet një tjetër takim mes Spallettit dhe Gravinës, për të diskutuar detajet e fundit, teksa më pas pritet që vetë kreu i Federatës Italiane të angazhohet në negociata me Napolin për prishjen e kontratës.


Shtuar 18.08.2023 17:26