Italia bëhet gati për kualifikueset (FOTO LAJM)

Roberto Mançini ka zyrtarizuar pasditen e djeshme listën e tij me 33 lojtar, në pritje të gjysmëfinales “play off” për Botërorin “Katar 2022”, në Palermo më datë 24 mars.

Ashtu siç ishte përfolur, trajneri i kampionëve të Europës në fuqi ka lënë jashtë Mario Balotelin, pas një minigrumbullimi në janar, por në të njëjtën kohë edhe juventinin Federiko Bernardeski.

Ndërkohë, duke qëndruar te bardhezinjtë, Manuel Lokateli do t’i bashkohet grupit sapo të kalojë COVID-in, ndërkohë që surpriza janë dy natyralizimet e kryera me urgjencë nga Federata Italiane: mbrojtësin Luiz Felipe të Lacios dhe sulmuesin Zhoao Pedro të Kaljarit.

Në këtë mënyrë, dy brazilianët nga dje janë pjesë e përfaqësueses “axurre” dhe mund të jenë një ndihmë e madhe ndaj Maqedonisë së Veriut, por, pse jo, edhe në finalen e mundshme për të prerë biletën në Katar, kundrejt fitueses së çiftit Portugali-Turqi.

 


Shtuar 20.03.2022 09:45