Ish-mbrojtësi i Skënderbeut, Jorgo Pëllumbi, do ta vazhdojë karrierën e tij në Hungari. Me ndërmjetësimin e menaxherit Shkumbin Qormemeti 23-vjeçari ka nënshkruar për skuadrën e Drbrecenit (DVSC) për 3 vite e gjysmë. Mbrojtësi 186 cm i gjatë erdhi nga skuadra kroate e kategorisë së parë NK Varazhdin dhe tashmë i është bashkuar klubit hungarez.
Jorgo Pëllumbi u rrit te Skënderbeu, ku debutoi me skuadrën e parë në moshën 19-vjeçare dhe më pas vazhdoi karrierën te Varazhdini i Kroacisë, për të cilin luajti si titullar në 14 ndeshjet e kampionate në sezonin aktual, 2023-2024, ku ka shënuar një gol dhe dhënë një asist për gol.
Mbrojtësi korçar ka luajtur më shumë se 130 ndeshje në Kategorinë Superiore dhe kroate, përveçse është ftuar rregullisht në Kombëtaren U-21 të Shqipërisë. Pëllumbi ka luajtur në 15 ndeshje në kombëtaret e grupmoshave, dy herë si kapiten i ekipit.
“Besoj se Debreceni është një zgjedhje e mirë për mua, për atë që dua të bëj dhe hapat që duhet të hedh në karrierë. E konsideroj si një zgjedhje perfekte. Përshtypja e parë është perfektë, qyteti është i mrekullueshëm, gjithashtu edhe stadiumi. Të gjithë më kanë mirëpritur. Gjëja e parë që më vjen në mendje është ndeshja që kemi luajtur me skuadrën e vendlindjes Skënderbeu në Europë ndaj Debrecenit.
Kur mora vesh se Debreceni më kërkon mua, pashë renditjen e skuadrës dhe vendosa që të pranoj ofertën. Tani më mbetet të njihem me shokët e skuadrës sesi luajnë dhe çfarë trajneri kërkon gjatë lojës. Mezi pres që të njihëm me ambientin dhe të luaj duke kontribuar për Debrecenin”, u shpreh mes të tjerash Pëllumbi në prononcimin e parë për faqen zyrtare të klubit hungarez. /PanoramaSport/