Ish-legjenda e Real Madridit reagon ashpër ndaj gjyqtarit: Gjithmonë të njëjtit kundër nesh

Ndeshja e djeshme mes Valencias dhe Real Madridit shkaktoi polemika të mëdha, ndërsa vendimi i gjyqtarit Gil Manzano për të mos pranuar golin e Jude Bellingham u komentua gjerësisht nga figura të ndryshme të futbollit.

E njëri ndër personat që reagoi menjëherë pas ndeshjes ishte edhe legjenda e Real Madridit, Marcelo, i cili përmes rrjeteve sociale, ai e zbuloi nervozizmin e tij me mënyrën se si përfundoi ky duel.

Në një postim të Real Madridit në llogarinë e tyre zyrtare në rrjetin social Instagram, Marcelo la një koment.

“Gjithmonë të njëjtit kundër nesh”, ishte reagimi i Marcelos mbi rastin që u bë temë kryesore e futbollit në Spanjë.

Mirëpo Marcelo nuk ishte i vetmi që reagoi për atë që po cilësohet si ‘vendim skandaloz’ i gjyqtarit të ndeshjes, pasi edhe yjet si Vinicius Jr, Aurelien Tchouameni dhe Brahim Diaz shprehën indinjatën e tyre pas ndeshjes.

“Ne nuk fituam, sepse ata nuk na lanë”, ishin fjalët e Vinicius, ndërsa mesfushori Aurelien Tchouameni e cilësoi si ‘të turpshëm’ incidentin që kishte ndodhur. /Telegrafi/


Shtuar 3.03.2024 11:45