Përpara ndeshjes me Torinon që luhet nesër në orën 18:00, trajneri i Interit, Simone Inzaghi ka thënë për mediet se vlerëson forcën e grupit. Për javën e nëntë në Serie A, zikaltërit udhëtojnë për në Torino ku i pret një transfertë jo e lehtë.
“Ne po punojmë shumë në organizimin në mbrojtje, por do të duhet të bëjmë edhe më shumë. Pësuam dy gola të shmangshëm ndaj Bolonjës, duhet të përmirësohemi me gjithë ekipin në fazën ofensive”, tha ai për mediet.
Duke folur për sulmin, Inzaghi tha se edhe këtë vit Interi po shënon shumë dhe me lojtarë të ndryshëm.
“Është një fakt që vërteton forcën e grupit. Ne ende mund të përmirësohemi, duam më shumë gola nga të gjithë, edhe nga mbrojtësit dhe mesfushorët”, tregoi Inzaghi.
Pas javës së tetë, Interi me 19 pikë mban vendin e dytë, me dy pikë më pak se Milani kryesues. Nga ana tjetër, Torino me nëntë pikë mban vendin e 14-të.