Inzaghi: Që të fitojmë Superkupën na duhet intensitet, karakter dhe vendosmëri

Pak çaste më parë Inzaghi ka dalë në një konferencë për shtyp bashkë me Handanoviç për të folur rreth ndeshjes së nesërme ndaj Juventus për finalen e Superkupës.

“Nesër do të jetë një finale e bukur. Juventus ka shumë mungesa por kjo nuk do të thotë se do na e bëjnë të lehtë sfidën. Ata janë mësuar të luajnë në finale dhe kanë ende lojtarë që bëjnë diferencën. Përmbysën rezultatin ndaj Romës në një ndeshje të komplikuar, janë të aftë të tregojnë karakter.”

Gjithashtu tekniku zikaltër foli edhe për ekipin e tij.

“Ne kemi një grup të bashkuar. Luajmë bukur dhe kemi gjithmonë vëmendjen në fushë, cilido ekip që është përballë nesh, nuk nënvlerësojmë askënd.

Nesër për të fituar këtë finale na duhet intensitet, karakter dhe vendosmëri. Kam besim tek djemtë e mi pasi ia di kapacitetin e tyre. Jemi të aftë të dalim nga çdo vështirësi. Nesër e di që do vendosemi disa herë në vështirësi nga Juve, por jam i sigurt që djemtë do e menaxhojnë situatën.

Nesër do të përpiqemi të gëzojmë dhe tifozët tanë me një fitore, të shpresojmë”, kështu është shprehur tekniku Inzaghi. /h.ll/albeu.com


Shtuar 11.01.2022 14:12