Largimi i Kristjan Asllanit nga Interi po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, pasi klubi zikaltër tashmë është i gatshëm të dëgjojë oferta për mesfushorin e Kombëtares shqiptare.
Sipas mediave italiane, për Asllanin ka interes konkret, dhe së fundmi është zhvilluar një bisedë telefonike mes drejtuesve të Interit dhe atyre të Bolognës.
Kjo e fundit synon të vazhdojë ecurinë pozitive në Serie A dhe të garojë për një vend në Ligën e Kampionëve, ndaj është në kërkim të përforcimeve cilësore.
“Corriere Dello Sport” raporton se sapo Bologna është informuar për çmimin prej rreth 18 milionë eurosh, të vendosur nga Interi për kartonin e Asllanit, drejtori sportiv Giovanni Sartori ka reaguar qartë: klubi nuk është i gatshëm të paguajë një shumë të tillë.
Megjithatë, Bologna nuk e ka hequr dorë nga mesfushori shqiptar. Klubi vlerëson potencialin e tij dhe e sheh si një element të rëndësishëm për idetë taktike të trajnerit Vincenzo Italiano.
Pritet që negociatat të vazhdojnë në ditët në vijim, me synimin për të gjetur një marrëveshje që kënaq të dyja palët.
Interi duket i hapur ndaj një formule të re ose uljes së çmimit, nëse oferta e Bolognës vjen me kushte të favorshme, qoftë për shitje të plotë apo huazim me të drejtë blerjeje.
Asllani kërkon më shumë minuta në fushë, dhe një lëvizje në një skuadër ku mund të ketë më shumë hapësira, siç është Bologna , shihet si një hap logjik për të ardhmen e tij.