Interi gjen një “yll” për të ardhmen/ Pio Espozito, debutim i artë në Champions

Në Amsterdam ndaj Ajaksit, nuk shkëlqeu vetëm dopieta e Turamit. Në skenë doli edhe një djalosh 20-vjeçar, që më 28 qershor festoi ditëlindjen e tij: Pio Esposito. Për të, Champions League filloi si në ëndërr.

Një debutim që kritikët e kanë vlerësuar unanimisht, duke i dhënë nota të larta për paraqitjen e tij të parë në turneun më të rëndësishëm europian.

Sportmediaset, Gazzetta, Corriere dello Sport dhe gazetat e tjera kryesore e vlerësuan me notën 7, ndërsa La Stampa i dha edhe më shumë.

Të gjitha këto gjykime tregojnë për një lojtar të ri që hyri në fushë me personalitet, duke mos u ndjerë aspak i vogël përballë një skene kaq të madhe.

Në krah të Turam-it, Pio krijoi menjëherë një bashkëpunim të frytshëm.

Francezi, në fund të ndeshjes, e përmendi shokun e tij duke thënë:Më në fund, tani të gjithë e njohin Pio-n”.

Fjalë që konfirmojnë se në brendësi të skuadrës ekziston bindja se djali i Esposito-ve është një talent i destinuar për t’u afirmuar.

Stili i tij i lojës ka sjellë krahasime të shumta. Disa shohin te ai ngjashmëri me Edin Dzeko, të tjerë me Luka Toni-n, i cili madje e lavdëroi publikisht në Prime Video.

Fiziku i fortë, kontrolli i topit, vendosmëria në duele dhe aftësia për të punuar për skuadrën janë elementë që e bëjnë të duket më i pjekur se mosha që ka.

Ajo që bëri më shumë përshtypje ishte qetësia. Pa panik, gjithmonë i përqendruar, i gatshëm të ndihmonte mbrojtjen dhe të hapte hapësira për Turam-in.

Një lojtar që nuk i druhen emocioneve të para, por i shfrytëzon ato si karburant për të treguar vlerën.

Drejtuesit zikaltër, me në krye Marota, e kanë pritur këtë debutim si një sinjal të fortë se klubi ka në duar një tjetër pasuri.

Në një kohë kur Inter-i kërkon të ndërtojë të ardhmen pa lëshuar terren, rritja e një lojtari të tillë përbën një investim të çmuar.

Në fund, nata e Amsterdam-it mbetet e veçantë për Pio Espositon: një fillim që ka shijen e një historie të madhe. Dhe tifozët zikaltër kanë arsye të besojnë se ky është vetëm kapitulli i parë i një aventure të gjatë në Europë.


Shtuar 19.09.2025 10:59