Në pritje për të mësuar më shumë mbi gjendjen e Christian Eriksen dhe gjasat që ai ka për t’u rikthyer sërish në fushë me fanellën zikaltër, drejtuesit e Interit po lëvizin në merkato për të gjetur një futbollist që të mund të luajë në vendin e tij, qoftë edhe përkohësisht.
Momentalisht Ausilio dhe Marotta kanë bllokuar shitjen e Radja Nainggolan dhe huazimin e francezit Lucien Agoume, të cilët do të nisin përgatitjet nën urdhrat e Simone Inzaghit për të treguar vlerat e tyre, megjithatë drejtuesit zikaltër kanë bërë një tjetër lëvizje.
Prej disa ditësh Marotta e Ausilio kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me menaxherin e Hakan Calhanoglu, fantazist turk të cilit i ka përfunduar kontrata me Milanin dhe që deri tani nuk ka dhënë sinjale rinovimi.
Fantazisti 27-vjeçar ka kërkuar një pagë sezonale prej 5 milionë eurosh neto për të vijuar bashkëpunimin me kuqezinjtë e Milanit, të cilët nga ana tjetër nuk kanë ndërmend të shkojnë përtej 4 milionë eurove, përfshirë edhe bonuset.
Pikërisht këtë situatë po e shfrytëzojnë drejtuesit e Interit, që janë gati të transferojnë turkun Calhanolgu në anën zikaltër të Milanos, duke i ofruar pagën që ai kërkon, të ndihmuar edhe nga fakti që futbollisti është i lirë dhe nuk kanë nevojë të shpenzojnë për të blerë kartonin e tij.
Me Cahlanoglu, edhe Simone Inzaghi do të ketë në dispozicion një futbollist me cilësi të ngjashme me Luis Alberton, që vrapon shumë në fushë, ka goditje të mirë nga distanca, vizion për lojën dhe aftësi driblimi në lojën një kundër një.
Vetë futbollisti turk sapo përfundoi Europianin me Turqinë, që e mbylli me një paraqitje zhgënjyese, me 3 humbje në po kaq ndeshje dhe dëshiron të zgjidhë të ardhmen para se të shkojë me pushime.