Igli Tare nuk i heq sytë nga Gjimshiti, mbrojtësi shihet si “paketë shkëmbimi” për amerikanin

Igli Tare po ndërton Milanin nga e para, me futbollistë të rinj, të cilët dëshiron t’u shtojë pak eksperiencë nga ajo e veteranëve në Serinë A. Dhe nëj prej këtyre “ekspertëve” që ka piketuar, mbetet Berat Gjimshiti.

Pavarësisht afrimeve të fundit në prapavijën e kuqezinjve, mediat pranë klubit insistojnë se Gjimshiti mbetet në listën e dëshirave të drejtuesit sportiv të Milanit që e njeh shumë mirë dhe nuk e ka të vështirë të gjejë gjuhën e përbashkët me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare.

Formula e transferimit ndërkohë mund të jetë pak më e komplikuar. Tare synon që të përfshijë Gjimshitin në negociatat që po bën me Atalantën për transferimin e Junus Musah te bergamaskët. Amerikani nuk është një titullar për Alegrin dhe kjo ka shtyrë Taren që të nisë bisedën me Atalantën, e cila ka ofruar 25 milionë euro për kartonin e tij.

Milani kërkon 30 për lojtarin të cilin e bleu pak më shumë se 21 milionë euro dy vite më parë. Ndërkohë, Tare shpreson që të përfshijë në paketën e transferimit edhe kartonin e Gjimshitit, si një element me eksperiencë që mund të bëjë punë në prapavijën e skuadrës kuqezi, e cila ka padyshim nevojë për një lojtar që di të gjitha hilet e zanatit, në këto momente kur po ribëhet nga e para.


Shtuar 21.08.2025 19:43