I “preferuari” i të gjithëve, Qazim Laçi pritet si “hero” te Sparta Prague

Vetëm 1 vit në Çeki, por mund të thuhet se është një nga lojtarët më të dashur, të “gjigantëve” vendas të Sparta Prague. Bëhet fjalë për mesfushorin e Kombëtares sonë, Qazim Laçi, i cili që prej transferimit në elitën e futbollit çek është duke performuar në mënyrë të shkëlqyer, teksa sezonin e shkuar fitoi dhe titullin kampion me skuadrën e tij.

Luftarak, me grintë dhe gjithmonë i gatshëm të japë “shpirtin në fushë” për skuadrën e tij. Këto janë arsye që tifozët janë të “marrosur” pas tij dhe jo vetëm, pasi respekt maksimal për të tregojnë edhe shokët e tij të skuadrës, si dhe stafi teknik, të cilët janë mjaft të lumtur me performancat e tij, në tapetin e blertë.

Këtë të premte, skuadra e Sparta Prague ka publikuar edhe një video në profilin e tyre zyrtar, në “Facebook”, nga rikthimi i tij, në skuadër, pas pushimeve dimëore, ku duket qartazi respekti dhe konsideratia që kanë për 27-vjeçarin nga Dibra, i cili tashmë nuk do të jetë më shqiptari i vetëm në skuadrën e tij.

Si shok skuadrë, tashmë do të ketë sulmuesin e talentuar, kurbinas, Indrit Tucin, me 23-vjeçarin, që u transferua gjatë muajit dhjetor për shifrën e 1 milionë eurove, nga skuadra e Lokomotiv Zagreb, pas performancave fantastike të bëra këtë sezon, ku arriti të shënojë plot 6 gola, si dhe të dhurojë 3 asistime, në 17 përballjet e zhvilluara.

Performanca fantastike, në fushën e blertë, këtë sezon ka arritur të bëjë edhe Qazim Laçi, me mesfushorin e Kombëtares “Kuqezi”, që deri më tani numëron plot 27 ndeshje, me Sparta-n e tij, ku madje ka arritur të shënojë edhe 2 gola, si dhe të dhurojë 7 asistime, teksa kujtojmë që është gjithashtu në garë për tituj, teksa në kampionat udhëheqin në vendin e parë me 5 pikë diferencë, ndërsa në raundin e radhës së Europa League do të përballen me turqit e Galatasaray. /abcnews.al


Shtuar 12.01.2024 17:31