Hipotezë e bujshme për të ardhmen e Kristjan Asllanit, kërkohet nga miliarderët në Paris

Kristjan Asllani do të ndërrojë skuadër gjatë merkatos së janarit dhe ajo që mbetet të mësohet është vetëm skuadra në të cilën do të kalojë pas largimit nga Torino.

Futbollisti nuk bën pjesë në planet e klubit granata dhe as në ato të Interit, ndaj po kërkohet një sistemim i ri për të. Vetë Asllani nuk dëshiron të largohet nga Italia, por së fundmi është shfaqur një hipotezë shumë interesante që mund të ndryshojë këndvështrimin e tij.

Mediat pranë klubit të Interit kanë mësuar për një interesim konkret të një klubi francez për të, më saktësisht Paris FC. Klubi i ngjitur në elitë në këtë edicion, po lufton për mbijetesën, por po synon të bëjë një merkato të fortë në janar, pasi ka mbështetje të fuqishme financiare.

Që nga viti 2024, kuotat kontrolluese i ka kompania “Agache Sport”, e cila është në pronësi të Bernard Arno, miliarderit që është mes 5 personave më të pasur në botë sipas Forbes. Objektivi është të kthejnë Paris FC në një rival të denjë për kushërinjtë e PSG, ndaj për Asllanin kjo do të ishte një alternativë interesante, gjithmonë nëse vendos të provojë një eksperiencë në kampionatin francez.


Shtuar 7.01.2026 21:56