Guardiola: Pas një sezoni si ai i vitit të kaluar, një klub tjetër do më kishte shkarkuar

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, foli në njq konferencë për shtyp për jetëgjatësinë e qëndrimit të tij në Etihad. Ky është sezoni i tij i dhjetë në krye të klubit.

“Është çështje rezultatesh. Nëse nuk fiton, të shkarkojnë. Nëse nuk fitojmë, do të më shkarkojnë edhe mua. Kemi fituar shumë, prandaj jam i ulur këtu. Nuk ka sekret tjetër. Në një klub tjetër, nuk do të isha konfirmuar pas sezonit të kaluar.

Ata janë më të duruar, ndoshta edhe për shkak të asaj që kemi bërë në të kaluarën. Kemi pasur tre muaj vërtet të dobët. E kaluara ka qenë vërtet pozitive, dhe kjo është arsyeja pse jam ende këtu”.

54 vjeç, Guardiola është në krye të City-t që nga korriku i vitit 2016.

Përvoja e tij me klubin anglez përfshin 6 tituj të Premier League, 2 FA Cup, 4 Kupa të Ligës, 3 Community Shield, një Champions League dhe një Superkupë Evropiane dhe një Botëror për Klube.


Shtuar 16.01.2026 20:00